Site icon Telegrafi

Afera 150 mijë euroshe e ish-kryeprokurorit, Haxhiu: Të gjithë personat e përfshirë në këtë skandal duhet të arrestohen menjëherë

Pas publikimit të një hulumtimi në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu ka thënë se Haxhi Dërguti ish kryeprokuror i Apelit dhe gjyqtarët por edhe secili person i përfshirë në skandalin në fjalë duhet të arrestohen menjëherë.

“Fenomenet që kanë qenë të njohura prej kohësh, sot po i shohim e dëgjojmë”.

Sipas ministres, pos Dërgutit, brenda sistemit të Drejtësisë, ka shumë persona të cilët mbyllin lëndë me duke marrë ryshfet.

“Haxhi Dërguti jo vetëm për këtë rast por edhe për shumë raste tjera. Pavarësisht që sot është avokat, ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë që hapin e mbyllin lëndë me para”, u shpreh ajo.

Haxhiu i ka bërë thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi.

“Sidomos, në rrethanat kur sistemi nuk është në shërbim të qytetarëve, qytetarët që i qesin sheshit pazaret e skandalet janë shpresa që e keqja mund të luftohet prandaj inkurajoj të gjithë që të ndjekin shembullin e qytetarëve të guximshëm dhe në anën tjetër bëj thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi e cila me padurim po pritet nga qytetarët”, ka shkruar Haxhiu. /Telegrafi/

Exit mobile version