Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë vijuar me denoncimet për atë që konsiderojnë aferën e impianteve të plehrave, të njohur si inceneratorët, në Shqipëri.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Jamarbër Malltezi, I cilësoi kompanitë e inceneratorëve si guaska korrupsioni në dëm të qytetarëve shqiptarë. “Asnjë shqiptar, madje as SPAK nuk e di se ku po shkojnë miliona euro që Edi Rama ia transferon në mënyrë bujare atje në drejtimin e paditur Zotos dhe Gugalles që janë me urdhër arresti ndërkombëtar. Kjo mega aferë është si gropë plehrash pambarim”, tha Malltezi.
Pak minuta pas demokratëve, përfaqësues të Partisë së Lirisë paraqitën për mediat disa dokumente, që sipas tyre provojnë se kompanitë e inceneratorëve nuk kanë përfunduar punën, por viojnë të paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Grupi i strukturuar kriminal ka në kokë vetë Kryeministrin”, tha deputeti Petrit Vasili. “SPAK është para provës së pakapërcyeshme për të zbatuar ligjin deri në fund. Denoncimet do të vazhdojnë dhe janë po kaq komprometuese. Do ta vazhdojmë deri në fund angazhimin për ta zbërthyer këtë aferë deri në fund”. /A2 CNN/