Qytetarët serbë në veri të Kosovës po vazhdojnë me intensitet konvertimin e patentë-shoferëve të lëshuar nga autoritetet ilegale në lejet zyrtare të Republikës së Kosovës.
Nga data 10 maj e deri më sot (e mërkurë), 7 gusht janë lëshuar 5,588 patentë-shoferë të rinj.
Sipas zëvendësdrejtorit të policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, vetëm sot janë lëshuar 273 patentë-shoferë.
Elshani raportoi se në Leposaviq janë dhënë 109 leje, në Mitrovicën Veriore 51, në Zveçan 48 dhe në Zubin Potok 33.
Afati zyrtar për konvertimin e lejeve po i afrohet fundit, me vetëm dy ditë të mbetura deri më 9 gusht.
Pas kësaj date, çdo qytetar serb i ndaluar nga policia pa një leje zyrtare të Republikës së Kosovës do të konsiderohet se po vozit pa patentë-shoferë.
Ligji parasheh një gjobë prej 500 deri në 1,500 euro për shkeljen e këtij rregulli.
Autoritetet e Kosovës nuk i njohin dokumentet e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.
Megjithatë, në disa raste ato “tolerohen”, për shkak se procesi i integrimit të serbëve në sistemin e Kosovës nuk është përfunduar plotësisht.
Nga ana tjetër, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, dhe nuk është ndalur asnjëherë së lëshuari dokumente për territorin e Kosovës.
Autoritetet serbe i lëshojnë këto dokumente prej qyteteve të ndryshme të Serbisë.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, të dyja palët kanë arritur marrëveshje për njohjen e dokumenteve personale, por nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me dokumentet e lëshuara nga Serbia për serbët që banojnë në Kosovë.
Prandaj, palët shpesh interpretojnë ndryshe-ndryshe marrëveshjen e Brukselit./Telegrafi/