Site icon Telegrafi

Afaristët në Maqedoni bëjnë thirrje që më 5 maj të përfundojnë zgjedhjet presidenciale

Vështirë do të realizohen planet dhe investimet e kompanive nëse vjen deri te një krizë e re politike. Mungesa e censusit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, e me këtë edhe moszgjidhja e presidentit të shtetit mund të rezultojë me jostabilitet politik. Biznesmenët shprehen se skenari i këtillë do të sjellë pasiguri në ekonomi. Sipas tyre, çdo zgjedhje do të thonë ngërç për biznesin.

“Kur bëhet fjalë për zgjedhjet presidenciale, nëse nuk kemi census për president të shtetit atëherë do të kemi situatë të pavolitshme në raport me biznesin duke marrë parasysh se kemi ngërç të madh në mosfunksionimin e institucioneve, më pas ngërç në mosrealizimin e investimeve të huaja, gjegjësisht edhe këtu kemi mosrealizim të planeve të kompanive”, tha Nebi Hoxha, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Sipas ekspertëve mungesa e censusit nuk do të thotë fillim të krizës politike. Shprehen se nuk është hera e parë që vendi të mos zgjedhë president në zgjedhje. Kryeparlamentari ka detyrë në afat prej 40 ditëve të shpallë zgjedhje të reja.

“Nuk mendoj se jemi në prag të krizës me moszgjidhjen e presidentit. Nëse nga moszgjidhja e presidentit rezultojnë edhe konsekuenca tjera politike, përveç zgjedhjes së serishme, njëfarë rigrupimesh, njëfarë distorzioni të shumicës, atëherë është e mundshme të hyjmë në ndonjë prag të krizës”, deklaroi Nikolla Popovski, ekspert.

“Ne para do kohë ishim në recesion në një vit kur nuk kishte zgjedhje. Nuk janë vetëm zgjedhjet arsye për këtë, si të them, zhvillim letargjik të parametrave ekonomike te ne”, u shpreh Angella Peeva Laurençiq, PR-ekspert.

Megjithatë, ekspertët shprehen se nëse zgjedhjet janë suksesshme dhe nëse zgjidhet presidenti më 5 maj, kjo gjithsesi do të ndikojë pozitivisht në biznesin, para së gjithash për shkak të faktit se fushata do të përfundojë dhe do të vazhdojnë me realizimin e planeve që ishin në pritje thuajse dy muaj prej shpalljes së zgjedhjeve./Alsat-M/

Exit mobile version