Telegrafi

Aeroporti i Prishtinës, pjesë e garës së madhe botërore: World Travel Awards 2015 (Video)

Shumica e çmimeve prestigjioze në botë bazohen kryesisht në zhvillimet, në progresin dhe në performancën e një viti.

Menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar tē Prishtinës “Adem Jashari” – duke u bazuar në progresin e dukshëm që ka të bëjë me zgjerimin e hapësirës për shërbimet ndaj udhëtarëve me ndërtimin e terminalit të ri, me ngritjen e cilësisë së shërbimeve që kanë të bëjnë me teknologjinë moderne të instaluar, me procesimin në kohë rekorde të udhëtarëve e ngritjen e nivelit të sigurisë dhe sigurimit, e po ashtu duke kontribuar në mbrojtje të ambientit (ky aeroporti kursen rreth 40 për qind të ujit të pijshëm) – këtë vit vendosi që të përkushtohet në njohje botërore të sukseseve të saja .

Këtë herë, ky aeroport ia doli të jetë i nominuar në njërën ndër garat më të mëdha të fushës së aviacionit: World Travel Awards 2015.

Ky konsiderohet si një nga sukseset e mëdha që asnjë nga shtetet e rajonit nuk e kishte arritur më parë.

Grupi punues në këtë nismë – pēr fitimin e këtij çmimi të rëndësishëm për Kosovën – është i përkushtuar dhe ka besim në arritjen e cakut. Ky grup ia doli që këtë aeroport ta fusë në listë të ngushtë për disa çmime, duke u shprehur për Telegrafin se në fund të vitit mundi i tyre do të kurorëzohet me marrjen e çmimeve prestigjioze botërore.

Tani ky sukses është edhe në duart e kosovarëve: që aeroporti i tyre të radhitet i pari në botë për shërbimet e ofruara. /Telegrafi/