Site icon Telegrafi

Aeroplani rus kishte shkrepur një raketë në afërsi të aeroplanit të ushtrisë britanike në Detin e Zi

Aeroplani luftarak rus i tipit Su-27 rastësisht ka shkrepur një raketë, pasi është interceptuar nga aeroplani i forcave ajrore britanike mbi Detin e Zi, ka njoftuar sot ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Raketa është shkrepur në afërsi të aeroplanit britanik, por që ishte jashtë rrezes vizuele të veprimit, transmeton Telegrafi.

Wallace theksoi se Rusia ka njoftuar se raketa ishte shkrepur për shkak të një defekti teknik. Incidenti ka ndodhur më 29 shtator, kur aeroplani i forcave ajrore të Britanisë po realizonte një patrullim rutinor, dhe kishte pasur interceptim me dy aeroplanë luftarakë rusë.

Ministri britanik i Mbrojtjes i ka shprehur brengat e tij tek homologu rus, për shkak të rrezikut potencial nga ky incident.

Wallace tha se “Rusia ka pranuar se interceptimi ka ndodhur në hapësirën ajrore ndërkombëtare”, duke shtuar se Britania e Madhe nuk e konsideron incidentin “eskalim të qëllimshëm”, duke u shprehur i bindur se “analiza do të dëshmojë se bëhej fjalë për defekt teknik”.

“Në këtë letër, ua kam bërë të qartë rusëve se aeroplani i forcave ajrore të Britanisë ka qenë i paarmatosur në hapësirën ajrore ndërkombëtare, dhe se ishte paralajmëruar udhëtimi i tij kohë më parë”, tha Wallace para deputetëve të parlamentit britanik. /Telegrafi/

 

Exit mobile version