Një aventurë e pakëndshme ka ndodhur me kombëtaren kuqezi. Përfaqësuesja shqiptare e futbollit, ka bërë një ulje të detyruar me aeroplan në aeroportin e Brest, ndërsa udhëtonte nga Lyon drejt bazës stërvitore në Perros Guirec.
Kushtet e këqija të motit, me shumë shi dhe erë në Francën Veriore, kanë detyruar pilotët e aeroplanit me të cilin udhëtonte kombëtarja të bënin një ulje të detyruar. Pasi kanë konstatuar se ishte e pamundur që udhëtimi të vijonte normalisht drejt Iannon, pilotët kanë vendosur të ulen në Brest, rreth 105 kilometra larg destinacionit përfundimtar.
Shefi i marrëdhënieve me shtypin në Federatën Shqiptare të Futbollit, Tritan Kokona, menjëherë pas uljes në Brest nëpërmjet një interviste telefonike për Supersport, garantoi se pavarësisht devijimit të detyruar, të gjithë futbollistët dhe stafi i kombëtares janë mirë, e madje situata nuk është përjetuar aspak me panik, pasi gjithçka ka qenë nën kontroll.
Në këtë mënyrë udhëtimi i Kombëtares ka vijuar me autobusë dhe kolonën shoqëruese drejt Iannon, lokacion rreth 10 minuta larg Agapa Resort, në Perros Guirrec ku akomodohet kombëtarja. Sipas informacioneve që i janë dhënë stafit të kuqezinjve, nga personeli i udhëtimit dhe i aeroportit situata të tilla për shkak të ndryshimit të shpejtë të kushteve motit në Francën Veriore janë pothuajse normale për fluturimet ajrore.
E rëndësishme është se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe siç thuhet në gjuhën popullore qoftë kjo “prishja e syrit të keq”, për të vijuar me fat të mirë në vijim në shpresat për një kualifikim të shumëpritur në 1/8 e Francë 2016.