Telegrafi

Aeroplani bëri ulje emergjente në Zagreb – pasagjeri dëshironte të hapte derën gjatë fluturimit, bërtiti “shihemi në parajsë”

Pasagjerët e avio-kompanisë britanike, TUI, gjatë fluturimit nga Paphos për në Manchester, rreth orës 17:00 gjatë ditës së martë, përjetuan një dramë të vërtetë.

Së pari, për shkak të orarit të punës së ekuipazhit nga Qipro, aeroplani u ngrit me 6 orë vonesë. Fluturimi i lartpërmendur drejtohej nga një aeroplan SmartLynx tip A321 dhe për shkak të një pasagjeri problematik, ekuipazhi vendosi të bënte një ulje emergjente në aeroportin e Zagrebit, njofton aviacioni kroat.

Pasagjerët i thanë Manchester Evening New se në mes të fluturimit pasagjeri konsumoi një pluhur të bardhë, sipas shumë raporteve ishte kokainë dhe u lut midis ulëseve në dyshemenë e kabinës. Para se të nisej për në daljen e urgjencës, ai u bërtiti pasagjerëve “shihemi në parajsë” dhe më pas u përpoq të hapte derën ndërsa aeroplani ishte lartë.

Disa pasagjerë e kanë rrëzuar për tokë personin në fjalë dhe e kanë penguar të realizojë veprimin, raporton index.hr.

Aeroplani u ul në aeroportin e Zagrebit në orën 1:00 të mëngjesit dhe pasagjerët u ankuan për organizimin e pritjes së tyre në Zagreb. Ata pretendojnë se askush nuk i ka pritur dhe se natën e kanë kaluar në dyshemenë e terminalit të pasagjerëve, pa ushqim dhe pije.

Vetëm herët, thonë ata, janë transportuar në hotelet e afërta dhe më pas janë njoftuar se fluturimi i tyre për në Manchester nga Zagrebi do të nisej të nesërmen në mbrëmje. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër duke qenë se orari i punës i ekuipazhit kishte skaduar.

TUI u kërkoi falje të gjithë pasagjerëve. Pasagjeri i lartpërmendur u shoqërua prej zyrtarëve të policisë dhe nuk vazhdoi udhëtimin për në Manchester. Aeroplani u ngrit nga Zagrebi për në Manchester, ku pasagjerët mbërritën me rreth 26 orë vonesë. /Telegrafi/