Udhëtimet e gjata me aeroplan janë “vatër” e përhapjes së coronavirusit, thuhet në një studim të realizuar së fundmi nga Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, që ka treguar se gjatë fluturimit nga Londra për në Hanoi të Vietnamit, një pasagjere ka infektuar 15 persona tjerë në fluturake, shkruan NBC.
Bëhet fjalë për fluturimin VN54 që u realizua nga 1 deri më 2 mars, kurse në biznes klas ka qenë një grua e cila kollitej dhe kishte dhimbje të mëdha fyti, transmeton Telegrafi.
Me të mbërritur në Vietnam ajo kishte temperaturë të lartë ku disa orë më vonë i është nënshtruar testit të COVID-19, me ç’rast u konstatua se rezultoi pozitive.
Shkencëtarët vendosën ta hulumtojnë këtë rast dhe kanë ardhur në konstatim, që me coronavirus janë infektuar 12 pasagjerë që ishin në biznes klas dhe dy tjerë në klasin “ekonomik” si dhe një stjuardese.
Gjatë fluturimit asnjëri nga rastet e reja me COVID-19 nuk kishin pasur simptoma të coronavirusit. E gjatë hulumtimit, shkencëtarët kanë dëshmuar se “lëvizja” e ajrit mund të jetë problem në aeroplan dhe se aeroplanët po cilësohen si “vatra” për përhapjen e coronavirusit. /Telegrafi/