Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosje, ka thënë se formula e propozuar nga Zyra e Presidentit nuk ishte korrekte, dhe cenon karakterin e KQZ-së.
Rrustemi, në ‘Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se subjektet politike marrin pjesë në zgjedhje dhe garancia e përfaqësimit mund të bëhet vetëm nga subjektet e jo nga grupet parlamentare.
“Grupet parlamentare janë për dinamika të brendshme në Kuvend. Grupet parlamentare ka raste kur koincidojnë me subjektin politik, por nuk marrin pjesë në zgjedhje”.
Zyrtari i Vetëvendosjes ka thënë se me logjikën që po e propozon Zyra e Presidentit, subjektet e mëdha do të ndaheshin në grupe për të përfituar në numër në KQZ.
“120 deputetë në Kuvendin e Kosovës mund të përfundojnë në shumë grupe parlamentare nëse ndahen nga gjashtë deputetë. Kjo cenon stabilitetin institucional. Edhe subjektet e mëdha LDK, Vetëvendosje, PDK mund të ndahen formalisht në grupe parlamentare vetëm sa të marrin anëtarë në KQZ”.
Rrustemi ka thënë se me bllokimin e punës në KQZ, Thaçi ka penguar edhe funksionimin e subjekteve politike pasi punonjësit e tyre nuk po marrin paga.
“Veprimi i Thaçit nuk është vetëm veprim i tij, por në linjë të plotë me qëndrimin e PDK-së”, tha ndër të tjera Adnan Rrustemi./Telegrafi/