Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Rrustemi, ka reaguar pas vendimit të PZAP-it, që të rinumërohen për rreth 1 mijë e 500 vendvotime.
Rrustemi ka thënë se vendimet e sotme të PZAP-it, nuk janë ligjore e juridike.
“Kam menduar që PZAP nuk mundet me më befasu më shumë, por jo. Vendimet e sotme që veç ligjore e juridike nuk janë, heshti çdo parim e dispozitë ligjore. Vendime politike, pa asnjë bazë e pa asnjë hetim e verifikim në QNR, që kthejnë mbrapsht gjithçka”, ka shkruar ai në Facebook.
Rrustemi ka thënë se për tri vota të pavlefshme, PZAP ka shkuar në QNR dhe ka hetuar gjithë ditën, kurse për rreth 1500 kuti dhe largimin nga rezultati të disa votave, ata sipas tij, nuk kanë marrë as mundin që të vizitojnë QNR-në.
“Ne vazhdimisht kemi kundërshtuar mënyrën e regjistrimit e votimit nga Serbia. Madje kur të tjerët miratonin, unë kam bërë ankesa në PZAP e deri në Gjykatën Kushtetuese – të gjitha i refuzonin, sepse nuk ju duhej për aranzhmane politike të këtij lloji, por ju duheshin edhe për ta votuar Qeverinë. Tani u kujtuan që t’i heqin votat nga Serbia, mirë shumë. Por çfarë do të bëjnë me vendimet e tyre të mëparshme, të kundërta më këtë e për të njëjtën çështje”, ka theksuar ai.
Tutje ai ka thënë se intenca për ta dëmtuar e devalvuar procesin zgjedhor, janë akti më antikushtetues ndaj demokracisë.
“E se ndërtimi i rezultateve zgjedhore, me vendime politike: hiq një copë aty, e vendos këtu, janë goditje ndaj vullnetit të votuesve”, ka thënë ai.
Ndryshe, PZAP ka pranuar 53 ankesa, ndërsa, 23 ankesa janë hedhur te pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara, 1 ankesë konstatohet e tërhequr./Telegrafi/