Telegrafi

Administratorja e USAID, viziton ICK-në dhe takohet me komunitetin e ICT

Administratorja e USAID, Samantha Power, mbrëmë e filloi vizitën zyrtare në Kosovë, dhe u prit në Innovation Centre Kosovo (ICK) nga komuniteti i ICT, ndërmarrësit dhe stafi i qendrës.

E shoqëruar nga Ambasadori Amerikan, Jeff Hovenier dhe shefja e USAID Kosovo, Zeinah Salahi, Power u prit nga ud Drejtori Ekzekutiv, Uranik Begu, stafi i ICK-së dhe komuniteti.

Në vizitën e parë të saj në Kosovë që nga viti 1999, ku shërbeu si korrespondente e luftës, znj. Power nuk e fshehu ngazëllimin që në Kosovë tani është për një tregim tjetër, atë të suksesit, forcimit të “Brendit” të shtetit të Kosovës, zhvillimit ekonomik, prosperitetit dhe paqes.

“Jam shumë e lumtur që drejtoj USAID-in dhe ndihem e frymëzuar me punën që është bërë në Kosovë. Jemi të përkushtuar të ju ndihmojmë tutje, vet Presidenti Biden është i përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjtë në Ballkan, dhe zhvillimi i sektorit privat & ndërmarrësisë mund të ndikojë fuqishëm edhe në këtë aspekt”.

Power më pas shkroi në Twitter se “e ardhmja e Kosovës është e ndritur, falë dinamizmit dhe zgjuarsisë së ndërmarrësve dhe liderëve të rinj. Dëgjova ide plot vizion për të ardhmen dhe përkushtim të njerëve që të vazhdojnë ta ndërtojnë tutje Kosovën”.

UD Drejtori Ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu, i cili e priti znj. Power u shpreh i kënaqur me vendimin e saj për të vizituar Kosovën dhe gatishmërinë për të ndihmuar vendin tonë nga një pozicion tejet i rëndësishëm i Administratës së SHBA-ve.

Pjesë e delegacionit pritës të Administratores Power në ICK, ishin edhe: Vesa Morina – ZetaCorp, Vjosa Shala – Nerdy Creative, Valon Shabani – Cloud my Business, Bardh Kadiu – KidsDay dhe mentorët Donjeta Sahataciu, Hana Qerimi, Vigan Budima dhe Leart Zogjani. /Telegrafi/