Telegrafi

Administratorët në Maqedoni kërkojnë para për transport

Administratorëve shtetëror nuk po ju del rroga që të paguajnë edhe harxhimet e rrugës. Kërkojnë që shteti të gjej mënyrën disi dhe përveç pagës t’ia paguajë edhe harxhimet për transport. Kjo ishte njëra prej kërkesave që doli nga të pranishmit që ishin në takimin e kreu të BDI-së Ali Ahmeti me ministrat e BDI-së në Gostivar. Sipas Adisit, njëri prej qytetarëve të paktë që kishin pyetje për Ahmetin, tha se Gostivari ofron shumë pak mundësi punësimi, ndërsa punësimet në institucionet e Gostivarit janë të kufizuara. Kryeqyteti ofron më shumë mundësi, por për në Shkup, rroga po ju shkon për transport.

“Problem është rruga. Një bashkëpunëtor i ri të punësohet në Shkup me 22 mijë denarë, nga ana tjetër 7000 denarë e ka prej Gostivari rrugën. Udhëtohet prej 4 qyteteve, kryesisht Velesi, Kumanova, Tetova dhe Gostivari dhe mendoj se kjo çështje mund të zgjidhet dhe nuk kërkojmë mjetë buxhetore të tepërta. Kështu që do të stimulohet edhe rinia për punësim në Shkup”, tha qytetari nga Gostivari.

Edhe zëvendëskryeministri i pari Artan Grubi edhe ministri i Financave, Fatmir Besimi nga Gostivari premtuan se do të shqyrtojnë mundësitë e kompensimit të harxhimeve të rrugës, por që të dy insistuan që të rinjtë të kërkojnë punë në sektorin privat, sepse aty sipas tyre janë pagat dhe kushtet më të mira.

“Pjesa më e madhe ende vazhdojnë të tërhiqen nga administrata shtetërore. Ajo që do ta çojë ekonominë përpara, që do të sjell vende të reja pune, është sektori privat. Investimet, teknologji të reja, të cilët do të krijojnë jo vetëm vende të reja pune por do të përparojnë ekonominë e vendit. Administrata financohet me taksa, taksat nesër do të ju kthehen nëpërmjet rrogave që do të jenë më të vogla”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Sipas raportit të fundit vjetor nga regjistri i të punësuarve në sektorin publik, rezulton se në vend kemi afër 132 mijë të punësuar në administratën të cilët në përgjithësi punojnë në 1346 institucione.