Telegrafi

Ademi dhe Duka drekojnë në Doha të Katarit së bashku me presidentin Aleksandër Çeferin

Agim Ademi dhe Armand Duka po qëndrojnë në Doha të Katarit për ditët e fundit të Kampionatit Botëror.

I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ai i Federatës shqiptare të futbollit janë të ftuar nga UEFA për t’i parë ndeshjet gjysmëfinale, atë të vendit të tretë dhe finalen.

E gjatë ditës së sotme dy presidentët shqiptarë të futbollit kanë pasur një drekë pune me të parin e futbollit evropian, sllovenin Aleksandër Çeferin.

Ka qenë Agim Ademi që ka shpërndarë një foto nga takimi i përbashkët me Çeferinin dhe me drejtorin e Federatave kombëtare në UEFA, Zoran Lakoviq.

“Në drekë pune të ftuar nga presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, me drejtorin e Federatave kombëtare në UEFA, Zoran Lakoviq dhe presidentin e FSHF-së dhe njëherësh anëtarin e KE të UEFA-s, Armand Duka”.

“Si gjithë herë biseduam me kënaqësi për futbollin, u këshilluam për planet dhe vizionin për të ardhmen. Bashkërisht e presim finalen e jashtëzakonshme të Kupës së Botës, ku Franca si përfaqësuese evropiane do të luajë kundër Argjentinës”, ka shkruar Ademi. /Telegrafi/