Deputeti i BDI-së Xhevat Ademi thotë se të gjitha pikat e Deklaratës së partive politike shqiptare janë përfshirë në programin qeverisës të Zoran Zaevit. Ai për TV21 tha se, ajo do të realizohet shkronjë për shkronje.
“Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare që në këtë konstelacion forcash, duke pas parasysh edhe numrat, mund të realizohet germë për germe dhe është e përfshirë në programin e qeverisë. Duke filluar nga rishikimi i proceseve për të cilat çdo shqiptarë ka dilemat si procese të montuara e deri te implementimi i germës së fundit të Marrëveshjes së Ohrit. Një prej prioriteteve të nivelit më të lartë të qeverisë së re është propozimi i ligjit të ri për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe dhe ajo është pjesë e programit të qeverisë së re”, u shpreh Xhevat Ademi, Deputet i BDI-së.
Deklarata e deputetit Ademi vjen 1 javë pas prononcimit për media të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, i cili tha se jo të gjitha pikat e Deklaratës së partive politike shqiptare do të gjejnë zbatim në programin e qeverisë reformuese./Telegrafi/