Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili, e shquar si Diva e muzikës shqiptare i është rikthyer skenës së festivalit të fundvitit.
Ajo është ngjitur sonte (e premte) në sallën e Pallatit të Kongreseve, për të performuar hitet e saj ndër vite.
Veshur me një fustan ngjyrë pjeshke, plot glamur dhe larg kaçurrelave të saj kësaj radhe, por me një dukje përrallore, Diva bëri paraqitjen e saj para publiktu shqiptar.
Hera e fundit që këngëtarja Ismaili është paraqitur në festivalin e RTSH-së, është në vitin 1996, ku kishte garuar me këngën “Zemrën nuk ta fal”, ku kishte ardhur si një adoleshente e rebeleuar me një performancë mjaft ‘të nxehtë’.
Ndërkohë, hera e parafundit që e pamë atë të ngjitej në skenën e Pallatit të Kongreseve, ishte para tetë viteve në festivalin ‘Kënga Magjike’, ku u prezantua me këngën “Nuk Ngec”, dhe u shpërblye me çmimin e publikut.
Adelina u mirëprit sonte në skenë nga moderatori i festivalit, Adi Krasta, gjersa solli për publikun një performancë tejet të veçantë.
Për dukjen e saj plot shkëlqim, u kujdes stilistja e njohur nga Kosova, Blerina Kllokoqi-Rugova!
Ajo ka qenë mjaft e përfolur këtë vit, duke u nisur nga fakti se në prill u bë nënë për herë të parë, ndërsa vetëm pak javë më parë dha lajmin se do t’i futet edhe aktrimit, dhe se së shpejti do ta shohim në një nga episodet e hit serialit “O Sa Mirë”. /Telegrafi/