Këngëtarja Adelina Berisha shumë shpejt do të vijë me një sesion këngësh të kënduara live në versionin akustik.
Në një bisedë për Telegrafin, Adelina ka zbuluar shumë detaje nga ky projekt, duke e cilësuar si një nga më të veçantit në karrierën e saj.
“Po, kam realizuar disa këngë ‘cover’ të këngëve të vjetra qytetare dhe popullore, të cilat pritet që t’i publikoj së shpejti. Besoj që do të pëlqehen, sepse është diçka e re nga ana ime për fansat e mi”, tha Adelina Berisha për Telegrafin.
Këngëtarja atraktive tregoi se idenë për realizimin e një sesioni të tillë, e ka pasur prej kohësh dhe ka qenë e shtyrë posaçërisht nga e ëma e saj.
“Ka qenë ide e imja qysh disa vite më herët, por tek tani erdhi momenti për realizimin e një sesioni të tillë. Ideja ka qenë gjithmonë e mamit faktikisht, por në bashkëpunim me mua, dhe ia arriti që të më bind ta realizoj një sesion të tillë me këngë live”, tregon këngëtarja Berisha.
Në vazhdimin e bisedës, Adelina thotë se këtë projekt ua dedikon fansave, të cilët do të kenë mundësinë që të kënaqen së dëgjuari muzikë nga këngë të zhanreve të ndryshme, të kënduara nga vet ajo.
“Ky projekt përfshin tri albume me këngë ‘cover’, në tri zhanre të ndryshme, ndërsa se cilat do të jenë ato këngë, nuk dua ta zbuloj, sepse dua ta lë befasi për fansat. Orkestrimet janë punuar nga ‘EthnoMusic’, përfaqësuar nga Burim Krasniqi dhe video është punuar nga ‘RedMedia KS’, gjithashtu nga Burimi. Këto janë këngë që janë dëgjuar më herët, por të kënduara në versionin tim. Por si projekt në veçanti, ua dedikoj të gjithë fansave të mi”, shtoi Adelina për Telegrafin.
Një pjesë shumë e rëndësishme e realizimit të një projekti është edhe stili. Këngëtarja për Telegrafin tregon se edhe për këtë projekt ka bërë zgjedhjen e duhur duke u këshilluar me grimerë dhe stilistë të zotë për dukjen e saj në ekran.
“Për dukjen time këtë radhë është kujdesur stilistja Dona Matoshi, të cilën e falënderoj shumë, ndërsa për grimin dhe flokët, studio ‘Chiko Beauty’, që gjithashtu kanë bërë një punë të mirë”, tregon ajo më tej.
Tutje, ajo tregon se ky projekt është vetëm fillimi për të, pasi në muajt e nxehtë, ajo pretendon të sjellë edhe një bashkëpunim me një tjetër artist nga estrada.
“Po, sigurisht që kam shumë projekte. Pas këtij sesioni këngësh live, do të sjellë edhe një këngë të re me klip, i cili do të jetë bashkëpunim por nuk dua ta zbuloj me kë. Do të jetë një këngë e bukur verore, e cila do të publikohet edhe me klip. Tani fillon sezoni veror, dhe normalisht që do të jem shumë e angazhuar. Kam shumë data, dhe do të jem aktive në koncerte gjatë muajve të nxehtë”, thotë Adelina Berisha.
Në përfundimin e bisedës, këngëtarja u la fansave një porosi të veçantë, duke i këshilluar ata që ta pëlqejnë dhe duan muzikën e saj, sepse e bën me shumë dashuri.
“Të gjithë ata që më duan, le të vazhdojnë të më duan, sepse nuk do ndalem së sjelli projekte të reja. Për të gjithë fansat e mi, kam një porosi: Dëgjoni sa më shumë muzikë, sepse s’ka më mirë”, përfundoi Adelina Berisha për Telegrafin.
Ky sesion akustik me këngë live pritet të publikohet aspak ditësh, ndërsa Telegrafi ka përcjell nga afër xhirimet, dhe ju sjellim në vazhdim imazhe ekskluzive nga prapaskenat.
Edhe këtë herë, këngëtarja Berisha nuk do të zhgënjejë me dukjen dhe paraqitjen e saj skenike. /Telegrafi/