Këngëtarja e njohur Adelina Ismaili këto ditë ka shënuar rikthimin e saj në muzikë me projektin e ri “T’iqja”.
Ajo në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur rreth më të rejave të saj dhe rikthimin në muzikë.
“Unë kam borxh të pashlyer ndaj fansave të mi, që i kam si familje dhe nuk jam e qetë kur ata duan këngë nga unë. Nuk pres të më kuptojnë ata që nuk e kanë provuar kurrë dashurinë. Unë jam këtu vetëm për ata që më duan dhe i dua”, ka thënë ndër të tjerash Adelina.
E pyetur se pse vendosi të shënojë rikthimin e saj me këngën “T’iqja” dhe kush janë “T’iqet” e famshme, ajo u përgjigj duke thënë se është inspirim nga jeta e përditshme e femrave të sponsoruara në Ballkan.
“Ballkani është vendi i vetëm në botë ku gjen femra të papuna që kanë miliona euro. Si shpjegohet kjo? Mua nuk më pengojnë “T’iqet”, madje i kam simpatike në idiotësinë e tyre. Unë i këndoj dhembjes së atyre grave që lindin dhe edukojnë fëmijë, punojnë deri në tetë orë në ditë, bëjnë mëngjesin, drekën, darkën, presin e përcjellin mysafirë, janë gjithmonë të buzëqeshura dhe fitojnë 250€ në muaj. Unë vetëm pyes: Çka punon “T’iqja”?”, ka thënë Adelina Ismaili për Telegrafin.
Ndërkohë, “T’iqja” si projekt duket se është pritur mirë nga publiku, kjo për faktin se në pak ditë ka filluar të grumbullojë shifra të larta klikimesh në YouTube.
Adelina tash e tutje pritet të jetë më aktive me këngë të reja dhe koncerte, teksa është rikthyer në Prishtinë, ku edhe po jeton me bashkëshortin, Valin, dhe djalin e saj të vogël, Uliksin. /Telegrafi/