Site icon Telegrafi

Action Bronson në Kosovë: Është hera e parë që vi, më pëlqen ushqimi këtu dhe gjithçka tjetër në vendin tonë

Action Bronson (Foto: Edmond Jetullahu/Telegrafi)

Sot (e martë) në Prishtinë u mbajt konferenca e parë për media e Festivalit Sunny Hill.

Mysafiri i parë nga emrat e famshëm që arriti në Kosovë, ishte reperi shqiptaro-amerikan, Arian Asllani, i njohur me emrin e tij artistik si Action Bronson, i cili në konferencë u shoqërua nga organizatori i festivalit, Dukagjin Lipa.

Ai është pritur fillimisht në Aeroportin e Prishtinës gjatë pasdites së sotme, teksa më pas është akomoduar në hotelin “Emerald”.

Reperi i njohur shqiptaro-amerikan, i cili prej vitesh jeton në New York, e ka nisur bisedën e tij duke kërkuar falje që nuk do të flasë në shqip, për çka ndihet i turpëruar.

“Dua të them gjithçka, por do ta them në anglisht, jam i turpëruar”, ka thënë Action Bronson.

Action Bronson gjatë konferencës për media në Prishtinë (Foto: Telegrafi)

Tutje, i pyetur nga gazetarët, ai e ka vazhduar bisedën rreth ushqimit, që është një prej dashurive më të madhe të tij, kjo pasi ka edhe një emision gatimi në New York.

“Më pëlqen ushqimi tradicional, më së shumti pëlqej sarmat e shoqëruara me lakra. Ndërsa për të pirë, pëlqej raki”, ka treguat tutje Ariani.

I pyetur për origjinën e tij, Action Bronson ka thënë se familja e tij ka jetuar në Shkup, ndërsa me prejardhje është nga Gjilani.

“Gjyshja ime ka qenë nga Shkupi, ajo bënte ushqimet më të mira në botë, kurse babai im është nga Gjilani. Kështu që unë kam prejardhje nga Kosova”, ka thënë tutje reperi.

Action Bronson: Jam me origjinë shqiptare, babai im është nga Gjilani (Foto: Telegrafi)

Action Bronson do të performojë në Festivalin Sunny Hill në Prishtinë më 11 gusht, në natën e dytë të festivalit. Ai premtoi se performanca e tij do të jetë interesante.

Kosova ka shumë reperë të zotë, teksa i pyetur nëse njeh apo do të pranonte ndonjë bashkëpunim me ndonjërin prej tyre, Bronson dha një përgjigje shumë interesante.

“Më pëlqejnë shumë edhe reperët në Kosovë, por sa i përket bashkëpunimeve, do bashkëpunoja me kënaqësi me një piktor, për të pikturuar vendet e bukura që ne kemi”, është shprehur ai.

Action Bronson (Foto: Telegrafi)

Shqiptarët e suksesshëm në Kosovë, duket se kanë rënë në syrin e reperit shqiptaro-amerikan, i cili përmendi golat e dy futbollistëve Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kundër Serbisë në Kampionatin Botëror, ‘Rusia 2018’.

“Jam ndier tejet krenar, me kanë bërë të qaj. Sepse t’i dëgjosh rrëfimet për baballarët e tyre se si janë dëbuar në luftë, është diçka emocionuese”, ka theksuar Bronson.

Për fund, shqiptaro-amerikani tregoi se gruaja e tij e ardhshme është nga Kolumbia, por që do ta njoftojë me traditat shqiptare.

“Për mua është hera e parë që vi në Kosovë. Gruaja ime e ardhshme është nga Kolumbia, por sigurisht ajo do të mësojë gjithçka rreth vendit tim”, ka thënë Action.

Konferenca e parë e Festivalit Sunny Hill u përmbyll kështu për t’i lënë rendin takimit të nesërm, në të cilin prezente do të jetë artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. /Telegrafi/

Exit mobile version