Mbrojtësi i Italisë, Francesco Acerbi la të kuptohet se ai do të preferonte Portugalinë në çerekfinale, pasi është ‘më e vështirë të ruash’ Romelu Lukakun sesa Cristiano Ronaldon.
Pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Austrisë, Acerbi foli në konferencën për shtyp, por nuk komentoi kur u pyet se me kë do të donte të luante në çerekfinale në Euro 2020.
Italia do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Belgjikës dhe Portugalisë sonte dhe Acerbi u pyet se kush beson se është ‘më i vështiri’ për të markuar midis Lukakut dhe Ronaldos, ndërsa përgjigja la të kuptohet se dëshiron portugezët në çerekfinale.
“Ndoshta Lukaku. Sepse ai është një lojtar i kompletuar, ashtu si dhe Cristiano Ronaldo, i cili gjithmonë shënon”, ka thënë fillimisht Acerbi pas ndeshjes.
“Si një sulmues qendror, Lukaku është më i vështirë për t’u markuar sepse ai ka më shumë fizik, ai ka fuqi dhe është pak më shumë sulmues”.
“Cristiano Ronaldo është sulmuesi klasik, por ai është më i shquar se Lukaku”, përfundoi mbrojtësi italian. /Telegrafi/