Site icon Telegrafi

Hoti: Dy vite të qeverisjes Kurti karakterizohen me acarim të marrëdhënieve me miqtë e kthim të Serbisë në partner kryesor tregtar

Foto: Arkiv

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka folur për dy vjetorin e Qeverisë Kurti.

Hoti në një postim në Facebook ka listuar disa nga çështjet që do të duhej trajtuar nga Qeveria, e që sipas tij nuk duhen as në horizont.

Ish-kryeministri ka thënë se dy vjet qeverisje karakterizohen me ikje të rinisë, kaos energjetik, mungesë të mjekëve dhe barnave, probleme në veri, kthim të Serbisë në partner kryesor tregtar në rajon me 371 milionë euro import etj.

Postimi i plotë:

Sot, pas dy vitesh qeverisje, do të duhej:

– lehtësisht të identifikoheshin projektet investive (së paku të nisura) dhe vendet e krijuara të punës,
– të numëroheshin çerdhet e ndërtuara,
– të numëroheshin banesat e ndërtuara për familjet e reja,
– të vëreheshin reformat në arsim e shëndetësi,
– të niste punën Fondi Sovran me pasuritë e AKP-së,
– të jepeshin kredi me norma të ulëta nga Banka Zhvillimore,
– të numëroheshin njohjet e reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë.

JO, asnjëra nga këto nuk shihet as në horizont. Dy vite të qeverisjes, karakterizohen me:

– numrin e madh të rinisë që kanë emigruar,
– probleme në veri,
– kaos në energjetikë,
– mungesë e barnave dhe emigrim i mjekëve,
– valë të njëpasnjëshme të privatizimit të aseteve të AKP-së,
– ulje e pagave reale,
– mungesë e investimeve kapitale,
– rritje e deficitit tregtar me 1 miliard euro,
– kthim i Serbisë në partner kryesor tregtar në rajon me 371 milionë euro import,
– futja e dialogut në udhë pa krye,
– acarimi i marrëdhënieve me miqtë,
– protesta të sindikatave dhe ditë të humbura të mësimit. /Telegrafi/

Exit mobile version