Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në lidhje me rastin e abuzimit me të miturën në Drenas.
Kjo është bërë e ditur nga faqja zyrtare e VV-së në Facebook, transmeton Telegrafi.
Në njoftim thuhet se Kuvendi do të diskutojë për përgjegjësinë institucionale në këtë rast.
“Vetëvendosje së bashku me Grupin parlamentar të LDK-së dhe Alternativa-s, dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngacmimin seksual, përdhunimin dhe kryerjen e abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet në shkrimin e VV-së.
Ndryshe, siç është raportuar, e mitura kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.
Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzëne. Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.
Inspektorati Policor i Kosovës sot përmes një njoftimi për media ka konfirmuar arrestimin e një zyrtari policor, me dyshimet për kryerje të veprimeve të kundërligjshme nga një zyrtar policor.
Pas intervistimit të të dyshuarit (punonjësit policor me inicialet V.V) i njëjti është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin. /Telegrafi/