Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka shfuqizuar edhe dy vendime të Qeverisë së kaluar për ndryshimin e politikave fiskale për prodhimin e duhanit dhe heqjen e akcizës për prodhuesit vendorë të duhanit.
Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka deklaruar se është konstatuar se ky vendim është i dëmshëm për shtetin prandaj duhet të shfuqizohet menjëherë.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar biznesmeni, Gazmend Abrashi, këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë analiza më të qëndrueshme kur vepron në politika fiskale për të mos shkaktuar dëme ekonomisë së vendit.
“Fabrika e duhanit në Gjilan është një ndër fabrikat e pakta në Kosovë që pas privatizimit është aktivizuar për prodhim me shumë investime dhe punë. Fabrika pas 18 viteve ka filluar prodhimin, me potencial për punësimin e së paku 100 punëtorëve në prodhim. Një produkt vendor ka filluar të hyj në treg, shteti ka fituar një tatimpagues të ri, më i madhi në komunën e Gjilanit”, ka thënë Abrashi.
Sipas tij, kjo fabrikë, ka dhënë rast që të aktivizohen fermerët e kultivimit të duhanit në Anamoravë dhe Gjakovë.
Fillimi i prodhimit në Fabrikën e duhanit në Gjilan ka dhënë rast që të aktivizohen fermerët e kultivimit të duhanit në Anamoravë dhe Gjakovë që ka traditë të gjatë në këto treva. Të gjitha këto i vë në pyetje një vendim i ngutshëm i qeverisë i pa analizuar mirë dhe paragjykues.”Diçka për prodhimin vendor””, ka shkruar ai.
Ndërkaq, Qeveria Haradinaj, në tetor të vitit 2018 kishte vendosur një pikë që e rregullonte përllogaritjen e normës së akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë, i cili u anulua të premten nga Qeveria Kurti./Telegrafi/