Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për medie ku dy deputetët e kësaj partie, Artan Abrashi dhe Fitore Pacolli kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi u shpreh se mungesa e vizionit për të menaxhuar pandeminë, nuk guxon të shndërrohet në dhunë ndaj qytetarëve, teksa tha se Qeveria e Kosovës është duke ua imponuar organeve të rendit që të aplikojnë masa të dhunshme ndaj qytetarëve.
Abrashi tha se mungesa e vizionit dhe profesionalizmit për menaxhim të pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk guxon të përkthehet në dhunë ndaj qytetarëve.
“Është për tu shqetësuar që kjo qeveri në mungesës të vizionit për menaxhimin e pandemisë, po aplikon masa represive dhe të dhunshme te qytetarët. Rasti i djeshëm në Prizren kur është ushtruar dhunë ndaj bizneseve dhe qytetarëve, nuk është mënyra e duhur që institucionet duhet t’i përgjigjen situatës pandemike. Duke besuar dhe vlerësuar lartë, punën dhe angazhimin e profesionalizmit e Policisë, konsideroj se direktivat e Qeverisë që i imponohen organeve të rendit për të aplikuar masat e dhunshme dhe represive ndaj qytetarëve të vendit do të rezultojë në shtimin e mosbindjes qytetarë dhe një kaos që askush nuk do ta dëshironte. Mungesën e vizionit, jo profesionalizmit, paaftësinë edhe në nivelet më të ulëta menaxheriale nuk guxon të përkthehet në dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Abrashi.
Në lidhje me vendimin për të mos u testuar personat të cilët e përfundojnë kohën e inkubacionit, pasi të përballen me virusin, Abrashi tha se është duke ndikuar shumë keq te qytetarët.
Siç tha Abrashi, ka biznese të cilat nuk i pranojnë qytetarët në punë për shkak se ata nuk mund ta dëshmojnë se nuk janë të infektuar, sepse institucionet refuzojnë të bëjnë testime.
“Refuzimi që të testohen qytetarët që e kanë kaluar fazën e inkubacionit, të cilët duan t’i kthehen jetës normale është duke bërë pasoja për qytetarët. Ka shumë biznese që refuzojnë t’i kthejnë punëtorët në punë me arsyetimin që i duhet dëshmi se nuk janë të infektuar, ku ta marrin dëshminë nëse institucionet refuzojnë t’i testojnë”, tha Abrashi gjatë konferencës për medie. /Telegrafi/