Telegrafi

Abrashi flet për planet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale

Jemi në kontakt me shumë shtete dhe ambasada të akredituara në Kosovë, që nëpër vende të zhvilluara të botës kosovarëve t’ju mundësohet punësimi sezonal, ka thënë në një intervistë për Telegrafin, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi. Sipas tij, krijimi i mundësive të tilla të punësimit, është një nga çështjet ku ai është angazhuar më së tepërmi – që prej ardhjes së tij në krye të MPMS-së.

“Secili shtet e ka të rregulluar në mënyrë të veçantë çështjen e pranimit të punëtorëve sezonalë. Vendet e BE-së kanë nevojë për punëtorë të kualifikuar në profile të ndryshme. Ndaj, kosovarët mund të sigurojnë punësim nëpër profile të cilat kërkohen nga shtetet e BE-së. E ne, si Qeveri, do të ndërmjetësojmë në këtë proces. Indikacionet e para janë pozitive. Unë, gjatë muajit mars dhe prill, për këtë çështje do të vizitojë disa shtete të BE-së. Kërkesat e para që i kam në evidencë, për profilet e kërkuara, kanë të bëjnë me përkujdesjen shëndetësore”, ka theksuar ai.

Abrashi ka sqaruar se numri i parë i praktikantëve të tillë, kur të kthehen në Kosovë, do të sjellin me veti edhe përvojën e fituar nëpër vendet në të cilat kanë punuar.

“Ata do të angazhohen në disa ndërmarrje të njohura sociale, të cilat nuk i kemi në Kosovë. Ndërmarrjet sociale, si praktikë e re evropiane, nuk janë profitabile por ofrojnë shërbime p.sh. për të moshuar, për persona me aftësi të kufizuar etj. Ndaj, ata që do të kthehen në Kosovë, do të sjellin një përvojë të re që ne nuk e kemi. Në disa shtete skandinave ka interesim për njohës të fushave të Teknologjisë Informative (IT). Interesim për njohës të kësaj fushe kanë shprehur edhe disa shtete joevropiane. Ndërsa, për fushën e ndërtimtarisë dhe të përkujdesjes sociale, ka interesime edhe nga disa shtete të pasura të Lindjes së Mesme”, ka thënë ai.

Sipas tij, ideja është që në këtë vit nga Kosova të shkojë një numër i vogël i punëtorëve sezonalë: nga disa dhjetëra në secilin shtet ku krijohet mundësia për aranzhmane të tilla.

“Kështu ne dëshirojnë t’ju dëshmojmë vendeve pranuese të punëtorëve sezonalë se, përveçse kemi fuqi të kualifikuar punëtore, edhe si Qeveri do të jemi të përgjegjshëm. Nëse këtë vit i arrijmë dy ose tri marrëveshje, dhe nëse ato zbatohen në mënyrën më të mirë, vitin e ardhshëm ne hapin mundësinë për pesë ose gjatë marrëveshje tjera. Qëllimi i këtij viti është që të kemi kësi marrëveshje dhe që ato të zbatohen si duhet”, ka theksuar ministri Abrashi.

Gjatë kësaj interviste Abrashi ka folur edhe për papunësinë dhe për angazhimin e tij në zbutjen e këtij problemi. Ministri i Punës ka thënë se numri i punëkërkuesve aktivë, të cilat janë regjistruar nëpër qendrat e punësimit gjatë dy gjashtë mujorëve të fundit, sillet nga 90-100 mijë punëkërkues.

“Se sa është i vërtetë ky numër, kjo mbetet të diskutohet. Ka shumë indikacione se nuk përputhen këto të dhëna, pasi një numër i madh i njerëzve nuk regjistrohen nëpër zyrat e punësimit, meqë ose e kanë humbur besimin ose thjesht nuk duan të regjistrohen”, ka deklaruar Abrashi.

Një prej punëve kryesore që po bëjnë zyrtarët e qendrave të punësimit, është mbledhja e të dhënave për numrin e punëkërkuesve në Kosovë. Por, Abrashi ka sqaruar se këshillimet dhe ndërmjetësimet për punëkërkuesit janë pjesë përbërëse e aktivitetit të këtyre qendrave.

Duke folur për numrat e të papunëve, ai ka thënë se të dhënat nuk janë të sakta. Sipas tij, numrat që prezantohen nëpër medie, ose nëpër institucione tjera – si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Bashkimi Evropian – vijnë nga databazat pasive. Sipas këtyre të dhënave, numri i të papunëve në Kosovë sillet nga 280-290 mijë.

“Përmes themelimit të Agjencionit të Punësimit – që pritet të fillojë punën në muajin maj, e i cili do t’i hapë zyrat në të gjitha komunat e Kosovës – do të tentojmë që ta zvogëlojmë papunësinë. Përmes këtij mekanizmi do të mundësohet orientimi në karrierë, diçka që mungon tani, ndërsa do të ketë më shumë angazhim në ndërmjetësim me bizneset. Pas ardhjes time në këtë post, nga raporti që kam lexuar, zyrtarët e punësimit kanë iniciuar rreth 6000 mijë vende pune, ndërsa kanë ndërmjetësuar në rreth 4000. Agjencioni është një lloj mekanizmi që do t’i qaset çështjes së punësimit në mënyre serioze”, ka theksuar Abrashi.

Ai ka sqaruar se një prej masave tjera është masa e subvencionimit të punësimit, duke kërkuar që fondi i Ministrisë për këtë çështje të rritet nga Qeveria.

“Ky subvencionim është prej masave më të suksesshme. Ne kemi shumë të rinj që diplomojnë, por nuk arrijnë të bëjnë praktikë nëpër kompani të ndryshme. Kështu, ata e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune. Ideja është që të përkrahen të gjithë ata që kanë gatishmëri për të punuar. Në këtë formë, të punësuarit do të fitonin përvojë e kompania do të përfitonte në mënyrë direkte, pasi disa prej punëtorëve të tyre për disa muaj do të paguhen nga shteti. Realiteti tregon se 50 për qind e atyre që kanë bërë praktikën, përmes kësaj mënyre kanë mbetur në punë”, ka thënë Abrashi.

Ministri ka folur edhe për skemën sociale, duke sqaruar se përpilimi i listave nuk është kompetencë e MPMS-së, por e komunave. Sipas tij, që prej ardhjes së tij në krye të Ministrisë së Punës, ai ka vërejtur mangësi në këtë drejtim, si dhe një diskrepancë të madhe ndërmjet listave.

“Për momentin, në asistencë sociale në Kosovë janë rreth 27 mijë familje, apo afërsisht 110 mijë qytetarë. Përkthyer në para, kjo i bie që Qeveria i shpenzon 28 milionë euro për skemën sociale. Unë – përmes mediave e raporteve të monitorimit – kam vërejtur se shpesh herë në lista figurojnë njerëz që nuk e meritojnë te jenë aty. Gjithashtu, kemi ankesa për familjet të cilat me të vërtetë e meritojnë te jenë pjesë e skemës sociale e që në realitet nuk janë”, ka thënë Abrashi.

Për këtë, ai ka premtuar se do të kërkojë auditim konstant të listave, në mënyrë që ata të cilët nuk e meritojnë këtë asistencë të mos jenë aty. Kështu synohet edhe rritja e buxhetit për familjet që më te vërtet kanë nevojë për ndihmë sociale.

“Synojmë ta ndryshojmë këtë skemë; ta bëjmë indeksimin. Por, synojmë që edhe gjatë rishikimit të buxhetit ta rrisim skemën sociale për 25 për qind. Po ashtu, punojmë që t’i fusim në projekte të punësimit afatshkurtër disa prej përfituesve të skemës sociale, duke ndikuar edhe në kursimin e buxhetit”, ka shtuar Abrashi.

Kur është fjala tek Inspektorati, ai shprehet se me strategjinë e re që do te fillojë të implementohet në qershor, do të dyfishohet numri i vizitave nëpër bizneset kosovare.

“Por, është e pamundur të vizitohen të gjitha bizneset në Kosove me një staf prej 50 inspektorëve. Kemi komuna me vetëm një inspektor, ndaj kam kërkuar prej Ministrisë së Financave që të rritet numri i tyre, sepse kështu mbikëqyret më mirë implementimi i Ligjit të Punës”, ka theksuar ai.

Abrashi ka thënë se angazhohet po ashtu që lehonat të kenë mundësi më të mëdha në punë, duke shtuar se ka kërkuar nga Banka Botërore – ai asistencë teknike – një hulumtim profesional për gjendjen ne terren në këtë aspekt.

“Ne kemi Ligjin aktual për lehoninë: gjashtë muajt e parë i paguan punëdhënësi, tre muaj i paguan shteti dhe tre muaj tjerë janë pushim pa pagesë. Kemi informata se femrat po i humbin mundësitë për punësim, se po përjashtohen prej punës dhe se po ju ndërpriten kontratat gjatë lehonisë, ose se nuk vijnë në shprehje që të punësohen. Pasi ta marrin këtë analizë, do të dalim me politika konkrete. Duhet ta gjejmë një formulë që si shtet t’ju ofrojmë femrave më shumë përkrahje, duke mos i dëmtuar edhe bizneset në ruajtjen e profitit të tyre”, ka shtuar ai

Ministri ka sqaruar se shkelja e Ligjit të Punës, sa i përket çështjes së kontratave, më së tepërmi bëhet në sektorin e shërbimeve hoteliere (gastronomisë), ku inspektorët hasin në punëtorët pa kontrata.

“Zbehja e këtij problemi kërkon përfshirje më të gjerë të institucioneve, madje përfshirje të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Por, kërkon edhe një fushatë të gjerë vetëdijesimi. Unë kam kërkuar nga inspektorati që ta nisin një kampanjë të vetëdijesimit, duke i informuar qytetarët se çka është Ligji i Punës dhe pse duhet të respektohet ai. Po ashtu, për mungesën e sigurisë në punë kam kërkuar prej Inspektoratit më tepër vëmendje tek sektori i ndërtimit. Në këtë sektor duhet t’i vetëdijesojmë punëdhënësit që t’i pajisin punëtorët me pajisje e duhura të sigurisë”, ka thënë Abrashi. /Blendi Devolli/Telegrafi/