Site icon Telegrafi

Abrashi dhe Svarqa vizitojnë fabrikën e djegur në Ferizaj

Fabrikën HI-TI “GERIS” – e cila sot u djeg plotësisht nga zjarri – e vizituan ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, si dhe kryetari Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Me këtë rast ata u njoftuan me gjendjen, ndërsa me pronarët e fabrikës u bisedua për mundësitë që ka Komuna dhe Qeveria e Kosovës që të ndihmojnë në përtëritjen e këtij biznesi.

“Kjo është njëra nga tragjedi që ka përjetuar afarizmi ferizajas që nga paslufta. Me ministrin Abrashi jemi këtu të shohim pasojat e këtij zjarri dhe të tregojmë se do të bëjmë gjithë atë që është e mundur për riparimin e pasojave të kësaj fatkeqësie”, ka thënë Svarqa.

Abrashi tha se ndihet i prekur nga kjo fatkeqësi, pasi është dëmtuar një biznes i fuqishëm ferizajas.

“Jemi dakorduar me kryetarin e Ferizajt dhe me pronarin që të shikojmë të gjitha mundësitë dhe të koordinohemi për të ndihmuar që ky biznes të kthehet sa më shpejt në prodhim dhe që punëtorët të kthehen në vendet e tyre të punës”, tha Arban Arbrashi, raporton FerizajPress.

Pronari i fabrikës, Nexhat Gashi, tha se zjarri ka shkatërruar gjithçka dhe se me këtë rast kanë humbur gjithë kapitalin që është investuar në fabrikë.

Exit mobile version