Pronari i klubit, Roman Abramovich u përpjek për të mbajtur një fjalim në zhveshtore pas fitores së Chelseat në finalen e Ligës së Evropës, por ai u ndal nga futbollistët të cilët e ‘dëbuan’ duke e gjuajtur atë me gjësende të ndryshme.
Miliarderi rus, 52-vjeçar, më në fund ishte në gjendje të shikonte skuadrën e tij teksa luante pasi një gjë të tillë nuk ka mundur ta bëjë në Ligën Premier shkaku i refuzimit të vizave nga Mbretëria e Bashkuar.
Pronari i Bluve u shpërblye për udhëtimin e tij në Baku me një tjetër trofe të shtuar në kabinetin e klubit nga Stamford Bridge, pasi skuadra e tij mposhti 4-1 Arsenalin.
Pas ndeshjes, Abramovich hyri në tunel për të bërë disa fotografi me kapitenin Cesar Azpilicueta përpara se të hynte brenda zhveshtoreve, por festa e madhe e lojtarëve e ‘dëboi’.
Teksa ai u përpoq që të fliste me lojtarët e Chelseat, ai u ndal shpejt pasi ata e bombarduan atë duke e ‘dëbuar’ jashtë pas gjuajtjes me gjësende të ndryshme.
“Ai erdhi pas ndeshjes dhe kur po përpiqej të fliste, djemtë po i hidhnin gjërat në drejtim të tij dhe ai u largua”, ka thënë mbrojtësi David Luiz. /Telegrafi/