Tammy Abraham është duke iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore te Roma për ta kompletuar transferimin nga Chelsea, mirëpo më pas duhet të kthehet në Londër për disa ditë për ta finalizuar dokumentacionin post-Brexit.
Futbollisti anglez arrin në kryeqytetin italian për 40 milionë euro plus pesë milionë të tjera në formë bonusesh, derisa Blutë e kanë ruajtur opsionin e riblerjes për 80 milionë euro.
Ai ka ateruar në aeroportin Ciampino në Romë mëngjesin e të dielës i shoqëruar nga drejtori Tiago Pinto dhe pastaj është dërguar drejt Trigorias për një takim të shkurtë me Jose Mourinhon, para se të shkonte në klinikën Villa Stuart për testet mjekësore.
Sipas Il Tempo, Abraham i ka kaluar rregullat e zakonshme të karantinimit, sepse ndodhet në Itali për punë dhe do të qëndrojë në vend më pak se 120 orë.
Lojtari duhet të kthehet në Londër për kompletimin e dokumentacionit, meqenëse pas Brexitit, futbollistët anglezë nuk konsiderohen më si pjesëtarë të Bashkimit Evropian.
Kjo do të thotë se zë një vend në skuadër të rezervuar për lojtarët jashtë BE-së, si dhe duhet të aplikojë për një formë ndryshe të vizës dhe lejes së punës. /Telegrafi/