Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Genci Nimanbegu. priti në takim zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Agim Bërdyna. Kjo Ministri e Kosovës për të dytin vit me radhë dhuroi abetaret për nxënësit e klasës së dytë të shkollave shqipe në Mal të Zi.
Këtë vit Kosova ka dhuruar 220 abetare pune, si dhe 120 libra për mësuesit në të cilat shpalosen metodologjitë e mësimit.
Bërdyna, siç raporton TV Teuta në Mal të Zi, tha se bashkëpunimi vazhdon edhe këtë vit me qellim që nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe e të mos hasin në pengesa në arsimimin dhe kulturën kombëtare.
Ndërkaq, Nimanbegu tha: “Kosova është gjithmonë pranë nxënësve shqiptarë të Malit të Zi. Ne kemi ngritur zërin dhe tekstet shkollore duhet të përmirësohen dhe të jenë të adekuate për nxënësit shqiptarë”.