Site icon Telegrafi

Abelard Tahiri akuzon VV dhe Listën Serbe se po kundërshtojnë reformat në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kundërshton pretendimin e Lëvizjes Vetëvendosje se institucionet e sundimit të ligjit janë përgjegjëse për mos liberalizimin e vizave.

“Është e pa pranueshme që kundërshtarët më të mëdhenj të lëvizjes së lirë përmes konferencave për shtyp të glorifikojnë qëndrimet e tyre si alternativë, përkundër faktit se në përditshmëri refuzojnë të kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të së drejtës”, thotë Tahiri.

Tahiri ka folur për reformat që janë ndërmarrë në drejtësi, që sipas tij kanë qenë aktorë kyç në vlerësimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

“Ju rikujtojmë se për 14 muaj me radhë janë ndërmarrë reforma të thella në drejtësi, përfshirë transformimin e politikës penale në drejtim të fuqizimit të sundimit të ligjit si dhe luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, fuqizimin e gjyqësorit, të drejtave pronësore, kodifikimit të së drejtës civile si dhe përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane. Këto reforma kanë ndikuar drejtpërdrejtë në vlerësimin pozitiv nga ana e Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve si dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, është shprehur Tahiri.

Thotë se Vetëvendosje dhe Lista Serbe i kundërshtojnë fuqishëm reformat në drejtësi.

“Janë dy subjekte politike që i kanë kundërshtuar në vazhdimësi këto reforma, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe. Këto dy subjekte politike përmes abuzimit me mandatet që kanë duke shfaqur papërgjegjësi të plotë në mbështetje të këtyre reformave, çdo ditë i kanë kontribuar dhe i kontribuojnë skeptikëve të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri, përcjell Telegrafi.

Exit mobile version