Site icon Telegrafi

Abdullahu: Qeveria aktuale dështoi në realizimin e premtimeve, PDK-ja do të sjellë ndryshim

Dita e zgjedhjeve po afron dhe partitë politike janë të angazhuara në fushata për të fituar besimin e qytetarëve, po ashtu edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila është në procesin e prezantimit të programit të saj për një mandat të plotë qeverisës, me fokus në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Për të shpjeguar më mirë prioritetet dhe planet e PDK-së, Telegrafi zhvilloi një intervistë me kandidatin për deputet nga kjo parti, Faton Abdullahu, i cili mban numrin 39 në listën zgjedhore të PDK-së.

Abdullahu shpjegoi se oferta e PDK-së, e udhëhequr nga kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, është origjinale dhe profesionale.

Ai theksoi se programi është krijuar nga një grup ekspertësh dhe synon të ofrojë stabilitet, zhvillim dhe normalizim për shtetin e Kosovës.

Faton Abdullahu, kandidat për deputet nga PDK

“Oferta jonë besoj shumë që është edhe origjinale edhe profesionale. Kam të drejtë të besoj e të konstatoj kështu sepse ky program që ka Bedri Hamzën në krye, është bërë nga shumë ekspertë tanë, dhe nëse përmblidhet me pak fjalë atëherë do të thosha se është ofertë që ofron stabilitet, ofron zhvillim dhe ofron normalizim për shtetin tonë.

Sigurisht kur e them normalizim nuk po e nënkuptoj atë normalizim që është futë në përdorim në raport me Serbinë, përkatësisht dialogun, kur thuhet bëjmë dialog me Serbinë për t’i normalizu raportet.

Gjë që është e keqe, sepse ky normalizim ka determinu përjashtimin e asaj që ka qenë më herët, dialog për njohje reciproke, pra jo këtë lloj normaliteti”, tha ai.

Kandidati i PDK-së gjithashtu theksoi se një nga prioritetet e programit të partisë është përmirësimi i kualitetit të jetës për qytetarët, me një fokus të veçantë në shëndetësi, arsim dhe zhvillim ekonomik.

“Nëse e dëgjoni me vëmendje kandidatin tonë për kryeministër në të gjithë premtimet e tij, kudo që i thotë, sido që i thotë, mund të përmblidhet në diçka që është vitale e nuk e kemi, që është vitale e që është deformuar, që është shumë  e rëndësishme dhe nuk i kushtohet rëndësi, që do profesionalizëm e nuk e ka, e kjo është përmbledhtazi thënë krejt aktiviteti, krejt qeverisja, fokus ta ketë kualitetin e jetës qytetare për një jetë më të mirë”, ka thënë Abdullahu.

Tutje ai theksoi se premtimet që po bëhen nga partia që aktualisht po qeverisë me vendin nëpër fushata zgjedhore nuk janë bindëse.

Po ashtu Abdullahu potencoi se do t’u japin prioritet bizneseve dhe veteranëve, invalidëve e familjeve të tyre.

“Është me rëndësi të potencohet se bizneset, sidomos bizneset e vogla, do të ndihmohen shumë dhe e treta për shkak se kanë qenë të anashkaluar deri në përbuzje. Do t’i kushtohet shumë rëndësi edhe veteranëve, trajtimit të tyre në çdo aspekt, edhe familjeve tyre, edhe invalidëve.

Nëse e vështrojmë këtë çështje nga një segment që mua po më duket interesant dhe po e vërej duke shkuar e vizituar gjithandej familjarë të ndryshëm, shtëpi, takime nga më të ndryshmet që po i bën PDK-ja, po vij në përfundim se sa e madhe ka qenë diskrepanca e para katër-pesë vite, nga ajo se ç’është premtuar deri të ajo se ç’është realizuar”, theksoi tutje kandidati për deputet nga PDK-ja.

Pra, kur e sheh këtë çfarë ndodhi në këto katër-pesë viteve të fundit, e dini sa e vështirë është që t’i besohet dikujt që premton, ngase më herët dikush që premtoi gënjeu shumë.

Dhe unë këtë e kualifikoj si ide korruptive. Pra, dikush ndoshta mund të mos jetë edhe hajnë, por idetë korruptive janë shumë të mëdha dhe ato i kemi prezent qe katër-pesë vite, po ai që gënjen, ai mandej edhe vjedh gjë që është dëshmuar”, u shpreh Abdullahu.

I pyetur se ku dallon kandidati për kryeministër, Bedri Hamza me kandidatët tjerë, ai tha: “ “Patjetër se dallojmë shumë në shumë sfera, sepse kjo qeveri po e dëshmon që është fjalamane.

Kjo qeveri fitoi ashtu sikundër e shpjegova më herët edhe nga disa njerëz, jo të paktë që thoshin po i provuam ne, e provuam PDK-në, e provuam LDK-në, hajde t’i provojmë edhe këta të e rinjtë.

Dhe të rinjt dukeshin të pasherrë, të padjallëzuar, po doli që i kishin të gjitha këto anë dhe rezultati nuk është larg nga ajo që kanë pritur qytetarët. Dallohemi sepse kemi program konstruktiv”.

Në lidhje me karrierën e kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, Abdullahu e përshkroi atë si një lider me përvojë të gjerë profesionale dhe politike, duke e krahasuar me kryeministrin aktual, i cili sipas tij ka arritur në pushtet pa një përvojë të mjaftueshme dhe është njohur më shumë për veprimet e tij jashtë institucioneve.

“E shihni karrierën e kryeministrit aktual se si është ndërtuar. Pra, më shumë është ndërtuar rrugëve duke gjuajt me gur e me gaz se sa në institucione. Pra kur ka ardhë, është katapultuar nga rruga në fotelën e kryeministrit, më pak e hiç përvojë. Zotri Hamza është komplet diçka tjetër, e gjithë karriera e tij, qoftë profesionale si ekonomisti i mirëfilltë, qoftë ajo politike si ta doni, është institucional, është krijuar në institucione, brenda institucioneve…”, tha ndër të tjera kandidati për deputet nga PDK-ja, Faton Abdullahu. /Telegrafi/

 

Exit mobile version