Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu në një intervistë për Telegrafi, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për cilësinë ujit që konsumohet nga ujësjellësi si dhe për Fabrikën e ujit në fshatin Shkabaj.
Ai ka treguar se Komuna e Prishtinës ka marr obligime në vlerë prej 5 milionë euro për këtë fabrikë deri sa janë paguar vetëm 2.5 milionë euro.
“Kostoja e kësaj fabrike ka qenë 20 milionë euro, të cilat kanë qenë kredi e marrë nga banka gjermane KfW, derisa 7 milionë euro prej tyre janë kthyer, 5 milionë euro i ka dhuruar Qeveria e Kosovës dhe 5 milionë euro i ka premtuar Komuna e Prishtinës. Shpresoj që së shpejti do t’i takojmë kryetarin dhe përfaqësuesit e Komunës, për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje”, tha Abdullahu.
Ai ka folur edhe për kanalin e Ibër Lepencit, nga i cili furnizohen për ujë të pijes disa komuna.
Sipas tij, 50 kilometrat e këtij kanali të zbuluara, e vështirësojnë përpunimin e ujit për konsumatorë, duke shtuar se turbullimi i ujit ndodhë për shkak të reshjeve atmosferike.
Abdullahu ka treguar se aksioni për faljen e borxheve të konsumatorëve nuk ka rezultuar suksesshëm edhe pse kanë grumbulluar 7 milionë euro.
“Për dy vite KRU-ja ka arritur që t’i kthejë 7 milionë euro kredi, nga kryerja e obligimeve të konsumatorëve. Kemi borxhe të akumuluara rreth 50 milionë euro, sepse shumë konsumatorë me vite nuk kanë paguar fatura. Marrëveshjet më konsumatorë nuk po respektohen”, tha Abdullahu. /Telegrafi/