Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e ShBA-ve, në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, me të cilin kanë diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Në komunikatën e lëshuar nga ky takim thuhet se Abdixhiku e ka informuar ambasadorin për opozitarizmin e LDK-së karshi proceseve aktuale politike si dhe platformën politike me theks të veçantë për procesin reformues brendapartiak dhe hapjen e vazhdueshme për të rinj e të reja në LDK, transmeto Telegrafi.
Më tej thuhet se gjatë takimit u diskutua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast Abdixhiku ka rikonfirmuar qëndrimin e LDK-së për përfundimin e këtij procesi me njohje reciproke, normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e në respektim të plotë të integritetit territorial dhe rendit kushtetues të vendit tonë.
Abdixhiku e ka vlerësuar lartë mbështetjen e pazëvendësueshme të ShBA-ve në të gjitha proceset shtet-formuese të Kosovës, ndërkaq shprehu përkushtimin e palëkundur të LDK-së për thellimin dhe mirëmbajtjen e miqësisë së përhershme ndërmjet dy vendeve tona./Telegrafi/