Kreu i ri Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke folur për herë të parë për një media të Shqipërisë, ka treguar se si do t’i ketë marrëdhëniet me Vjosa Osmanin, ish-nënkryetaren e LDK-së.
Abdixhiku është shprehur se i takon Vjosa Osmanit të qartësojë pozicionin e saj, ndërsa LDK-ja është e hapur për të gjithë.
“Tani nuk jemi në fazën e kushteve, Është që pala tjetër të qartësojë pozicionin karshi partive politike. Çdo pretendent për President duhet të qartësojë se çfarë pozicioni ka ndaj LDK-së, pozicion urryes, kundërshtues, apo neutral. Pala tjetër duhet të qartësojë këtë qasje. Duhet të qartësojë pozicionin e përfshirjes së presidentes së ardhshme me partinë e vet. Në Kosovë, presidenti nuk lejohet të ketë aktivitet partiak dhe nuk duhet të ketë. Për sa i përket grupit në fjalë, që janë ish-kolegë tanë, ata ideologjikisht janë më të afërt me mua se me Albin Kurtin”.
“Shtëpia e tyre origjinale është LDK dhe kauza kundër LDK-së nuk ekziston. Ata duhet të qartësojnë nëse do jenë pjesë e qeverisë apo e opozitës. Një grup parlamentar që gjysma është në opozitë dhe gjysma me qeverinë, nuk shkon”, tha kreu i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Syri.net.