Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij nuk do të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta. Ky ishte qëndrimi ynë para zgjedhjeve dhe mbetet i njëjtë,” theksoi Abdixhiku, pas takimit disa orësh me strukturat e partisë.
Abdixhiku bëri të ditur se LDK-ja mund të shqyrtojë një koalicion me partitë e tjera opozitare, por vetëm nëse i ofrohet posti i kryeministrit dhe arrihet një marrëveshje për pozitën e presidentit, e cila deri në vitin e ardhshëm i takon Vjosa Osmanit.
Zgjedhjet e 9 shkurtit u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje me 42.27% të votave, duke siguruar 48 ulëse në Kuvendin me 120 vende.
Pas Vetëvendosjes, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte e dyta me më shumë vota, e ndjekur nga LDK-ja.
Mandate siguruan edhe deputetët nga koalicioni AAK-NISMA.
LDK-ja mori rreth 17 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, një ngritje prej rreth 5 për qind në krahasim me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2021.
Sipas parashikimeve, LDK-së do t’i takojnë 20 ulëse në Kuvendin e ardhshëm.
Edhe pse LVV ka siguruar 48 ulëse, megjithatë, kjo nuk i mjafton për të formuar e vetme qeverinë e re, e cila kërkon mbështetjen e të paktën 61 deputetëve.
Kryeministri i Kosovës shprehu besimin se qeveria e ardhshme do të drejtohet nga ai dhe LVV-ja.