Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi sot se Bashkimi Evropian duhet të aplikojë standarde të njëjta për Ballkanin Perëndimor duke liberalizuar vizat për Kosovën.
Ai këto komente i bëri në një video-konferencë në Samitin e Partive Popullore Evropiane (PPE) për Ballkanin Perëndimor që u mbajt sot në Lubjanë.
“Në vigjilje të Samitit të BE-së që do të mbahet nesër, përfaqësuesit më të lartë të BE-së ritheksuan të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Kryetari Abdixhiku kërkoi që BE-ja të aplikojë standarde të njëjta për këtë pjesë të rajonit duke liberalizuar vizat për Kosovën dhe që pesë vendet tjera të BE-së të njohin Republikën e Kosovës si dhe të hapin rrugën e shtetit tonë drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e bërë nga LDK.
Ndryshe, në këtë samit morën pjesë edhe presidenti i PPE, Donald Tusk, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz etj.
Samiti i Partive Popullore Evropian PPE u mbajt në vigjilje të Samitit të BE-së që mbahet nesër në Slloveni. /Telegrafi/