Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas protestës së Njësisë Speciale të Policisë për rritjen e pagës, dhe deklarimit të kryeministrit, Albin Kurti.
Në një shkrim në Facebook, Abdixhiku, tha se paga e tyre është 630 euro.
Ndërsa për t’i marrë 2,200 euro Njësiti elitar i Policisë, Abdixhiku thotë se ata duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë, me nga 20 orë punë e 4 orë gjumë.
“Paga e tyre është 630 euro BRUTO! Kaq paguhen. 550 euro NETO”.
“I thonë punë jashtë orarit; punë shtesë. Për punë të tillë mos paçin nevojë asnjëherë; por janë aty sa herë që kemi nevojë; si vend, si shtet si shoqëri. I thonë angazhim patriotik për atdheun”, tha ai.
Abdixhiku theksoi se policët po kërkojnë dinjitet.
“Dhe dinjitet meritojnë këta dhjetra djem. Hiqni ca mëditje nga shëtitjet e thata dhe zgjidhjen e keni krejt të lehtë”, u shpreh tutje.
Sipas tij, një Qeveri normale nuk do të lejonte – aq më pak pas sulmit terrorist – t’i kishte djemtë elitarë në protestë.
“Një Qeveri normale nuk do t’i trajtonte këta djem me propagandë”.
Por shton Abdixhiku, Kosova nuk ka qeveri normale, por mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë.
“Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, polic e me secilën shtresë në këtë vend. Drejt fundit. Kosova do të bëhet më mirë”, tha Abdixhiku./Telegrafi/