Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë qëndrimin e tij pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, për energjinë.
Sipas tij, ky udhërrëfyes përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 – të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e vet.
Por, siç ka thënë Abdixhiku, Kryeministri aktual, Albin Kurti, në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
“Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.
“LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”, ka shtuar ai.
Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur të nënshkruajnë të martën marrëveshjen për energjinë, e cila parasheh faturimin e energjisë elektrike për komunat veriore të Kosovës.