Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Qeveria Kurti më dembelja në Evropë, në kulmin e pandemisë mbyll qendrat e vaksinimit gjatë fundjavës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur Qeverinë Kurti, si më dembelen në Evropë, pasi sipas tij, në kulmin e pandemisë mbyll qendrat e vaksinimit në fundjavë.

Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se qendrat janë të pamjaftueshme edhe po të hapeshin në plotni dhe as tre turne s’bëjnë punë në kulm të shpërthimit masiv.

Lexoni të plotë postimin e tij:

“Plot 1128 raste të reja në ditë. Po aq, nga një mijë secilën ditë – tre mijë për tre ditë – numra rekord gjatë gjithë pandemisë. Gjashtë kosovarë të vdekur në kaq pak kohë.

Do t’iu thoja vaksinohuni, siç dhe ju themi çdo ditë e për ditë, por ku të vaksinoheni sot kur Qeveria më dembele në Evropë ka vendosur t’i mbyllë qendrat e vaksinimit në kulmin rekord të pandemisë. Ku t’i merrni vaksinat sot kur shteti është, me vetëdije, në pushim vikendi?

Qendrat janë të pamjaftueshme edhe po të hapeshin në plotni. As tre turne s’bëjnë punë në kulm të shpërthimit masiv. Në vend të një administrimi kolektiv, gjithë nacional, që përfundon në pak ditë, Qeveria jonë zgjedhë pushim. Mbesim të fundit në Evropë në administrim; të parët për infektime për kokë banori në ditë. Një vend kaq i vogël, vazhdon t’i ketë 80% e popullsisë të pa vaksinuar.

Mbyllja e sërishme na vjen si e pashmangshme. Këta kanë dezertuar kujdesin për pandeminë. S’merren me të, sikurse me asgjë. Prandaj kujdesuni për vete!

Vaksinohuni! – kurdo që vendosin këta të punojnë”. /Telegrafi/

Exit mobile version