Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Qeveria gjithëpërfshirëse do t’i jepte legjitimitet dhe forcë politike Kosovës në dialog (Video)

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë qeveria gjithëpërfshirëse do t’i jepte legjitimitet dhe forcë politike Kosovës në dialog, por LDK më tepër preferon zgjedhjet e reja.

Abdixhiku, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ideja për qeveri gjithëpërfshirëse ka ardhur pas konsultimeve të shumta.

“Gjithëpërfshirja na është interpretuar si futje e LDK-së në koalicion me PDK-në. Kështu kanë qenë titujt e gazetave. ‘LDK tradhton sërish’. Fjala gjithë përfshirje është shqipe – do të thotë i përfshinë të gjithë”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se edhe Isa Mustafa nuk e ka interpretuar ndryshe qeverinë gjithëpërfshirëse, pos përfaqësimit të të gjitha partive politike.

“Edhe kryetari Mustafa në të gjitha daljet publike, gjithë përfshirjen nuk e ka interpretuar ndryshe përveç se përfaqësim i të gjitha partive politike”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Abdixhiku ka thënë se pavarësisht se LDK e pranon si opsion qeverinë gjithëpërfshirëse, më e preferuar mbetet shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare.

Lexo po ashtu Abdixhiku: Takimi me amerikanët i jep qetësi LDK-së për kufijtë (Video)

“Qeveria gjithëpërfshirëse nuk është më e preferuar për neve. Më e preferueshme për ne është shkuarja në zgjedhje…Rënia e Qeverisë është e pashmangshme në Kosovë, për shkak të strukturës së saj”, tha ndër të tjera Lumir Abdixhiku./Telegrafi/

Exit mobile version