Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Qëndrimet e Thaçit janë aventura të rrezikshme që prekin themelet e Kosovës

Pas konferencave për media të njëpasnjëshme të Presidentit, Hashim Thaçi në të cilat po diskuton për fazën përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi, ka reaguar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai konsideron se Thaçi nuk përfaqëson pikëpamjet politike të Kosovës dhe qëndrimet e tij i quan aventura të rrezikshme.

“Një President që haptas vë në tezga pazaresh territorin e vet; që konteston sovranitetin e njohur nga shumica e shteteve sot; që zhvlerëson kaq lehtë opinionin e GJND-së – nuk përfaqëson interesat e as pikëpamjet politike të Kosovës shtet të pavarur e sovran”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku thotë se Thaçi e ka vënë në pazar territorin e Kosovës dhe se veprimet e tij përbëjnë shkelje kushtetuese për çka do të mbahet përgjegjës.

“Qëndrimet e Hashim Thaçit janë aventura të rrezikshme politike që godasin drejtpërdrejtë themelet e Republikës sonë. Veprimet e tij naive përbëjnë shkelje të rëndë kushtetuese, për çka i njëjti do të mbahet përgjegjës.”

“Ndërkombëtarët dhe secili tjetër me interes, ta kuptojnë se rrethanat politike në Kosovë kanë ndryshuar. Në vitin 2018 përfaqësimi parlamentar e refuzon këtë individ. I njëjti është veçse figurë ceremoniale që mund të shpërndajë dekorata; kaq. Ai nuk ka mbështetje minimale parlamentare pas”, ka thënë në fund, Abdixhiku, përcjell Telegrafi

Exit mobile version