Telegrafi

Abdixhiku për vdekjen e Kolë Berishës: Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur

Foto: Arkiv

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha.

Abdixhiku përmes një telegrami ngushëllimi ka thënë se Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci.

“Vdekja e Kolë Berishës është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët dhe gjithë miqtë. Ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova”, ka shkruar Abdixhiku.

Lexo po ashtu Vdes ish-kryeparlamentari Kolë Berisha

Telegrami i plotë i Abdixhikut dërguar familjes Berisha:

E nderuara familje Berisha,

Mëngjesi i sotshëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për ju, por edhe për Lidhjen Demokratike si dhe krejt Kosovën.

Ju humbët babain e familjarin tuaj, ne humbëm mikun, bashkëpunëtorin, ish-nënkryetarin e LDK-së, ndërsa Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Vdekja e Kolë Berishës është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët dhe gjithë miqtë.

Ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Përpjekjet e tij për ndërtimin e institucioneve të Kosovës do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa puna dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi.

Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të ish-kryetarit të Kuvendit, deputetit e nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha.

Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pranoni ngushëllimet tona të sinqerta. /Telegrafi/