Site icon Telegrafi

Abdixhiku për rastin e rezervave shtetërore: Kryeministri po mbron kriminelët në pranga e krimin rreth tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes një video-adresimi ka reaguar pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë të Tregtisë dhe Industrisë Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica si dhe biznesmenit Ridvan Muharremi të cilët dyshohen për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Ai thotë se qeveritarët po provojnë të arsyetojnë atë që nuk arsyetohet

“Një Kryeministër që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të”, ka thënë i pari i LDK-së në Facebook.

“Një mik Kryeministri që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, vendosë t’i marrë – siç na thotë Kryeministri vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer”.

“Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë”, ka numëruar tutje Abdixhiku.

Abdixhiku thotë se ajo që është thënë në të kaluarën vlen edhe sot.

“Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion! Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni! Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim!”,

Sipas tij rastet e si ky i fundit me keqpërdorimin e rezervave shtetërore, ai ai Martin Berishajt e Nagip Krasniqit janë vazhdimësi e hajnisë në Kosovë.

“Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim – është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë. Po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë”.

Sipas tij me raste të tilla nuk mund të pretendohet ndryshimi i kërkuar ndër vite.

“Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një Qeveri e Kryeministër që mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij?”

Ai thotë se Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë.

“‘Rruga e re’ po vjen, si domosdoshmëri e vet kohës, dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë”, ka përfunduar Abdixhiku./Telegrafi/

Exit mobile version