Site icon Telegrafi

Abdixhiku për deklaratën e Kryeziut: Aq di i ‘shkreti’, çdo marrëveshje me ShBA-të është e obligueshme dhe në interes të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë sot se çdo marrëveshje ndërkombëtare e arritur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e obligueshme.

Abdixhiku këtë deklaratë e bëri pas homazheve te varri i ish deputetes, Nekibe Kelmendi.

Kryetari i LDK-së u përgjigj shkurt, kur u pyet për deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu se marrëveshja në Washington nuk ka vlerë juridike.

“Aq di i shkreti s’di më shumë. Çdo marrëveshje ndërkombëtare me ShBA-në është e obligueshme dhe është në interes të Kosovës”, tha shkurt Abdixhiku.

Ndryshe, lidhur me deklaratën e Kryeziut, ka reaguar sot edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke kërkuar nga Kurti ta demantojë deklaratën e Kryeziut.

Haradinaj ka thënë se asnjë qeveri, e asnjë kryeministër nuk mund ta rrezikojë partneritetin strategjik me Amerikën.

Ditë më parë, zëdhënësi i Qeverisë pati deklaruar se marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend. /Telegrafi/

Exit mobile version