Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Nuk do të ketë koalicion me PDK-në

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka theksuar se përkundër propagandës së vazhdueshme, partia e tij nuk do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai këto komente i ka bërë në Zona Zgjedhore në Klan Kosova, duke theksuar se se gjatë dy viteve të fundit, eksponentë të ndryshëm politik dhe mediatik kanë ngritur tri herë dyshime se LDK do të bëjë koalicion me PDK-në dhe, sipas tij, në të trija rastet LDK ka qëndruar konsistente ndaj qëndrimit të saj kundër koalicionit me PDK-në.

“Këto dyshime janë ngritur gjatë zgjedhjeve lokale 2017, me rastin e hapjes së temës së ndryshimit të kufijve, dhe së fundmi me dorëheqjen e Kryeministrit Haradinajt. Në të trija rastet, përkundër propagandës së vazhdueshme se LDK do të bëjë partneritet me PDK-në, LDK ka mbajtur qëndrim konsistent se nuk krijon partneritet me PDK-në”, ka shtuar Abdixhiku.

Sipas tij, kjo qasje e LDK-së karshi PDK-së buron nga dy faktorë.

“Së pari, PDK duhet të refuzohet si partner për shkak të sistemit të keq-qeverisjes, të cilin e ka instaluar dhe mirëmbajtur tash e 12 vite. Së dyti, PDK duhet të refuzohet për shkak se e ka dëshmuar se është partner jo i besueshëm. Për Abdixhikun, çështja e partneritetit LDK-PDK është punë e përfunduar dhe do të jetë e tillë edhe për një kohë shumë të gjatë. Ai ka listuar katër argumente të cilat e bëjnë këtë qëndrim të palëvizshëm. Sipas tij, vullneti i Këshillit të Përgjithshëm, kryesisë, kryetarit, dhe, më e rëndësishmja, orientimet konsistente anti-PDK të kandidates për kryeministre, e bëjnë të pamundshëm koalicionin me PDK”, ka shtuar Abdixhiku.

Përfundimisht, ai ka potencuar se konsistenca e LDK-së karshi partneritetit me PDK-në gjatë dy viteve të fundit, përkundër skeptikëve të cilët propagandonin të kundërtën, është sipas tij, argumenti kryesor se LDK do të vazhdojë të ketë qëndrim të njëjtë deri sa PDK të dërgohet në opozitë përfundimisht. /Telegrafi/

Exit mobile version