Site icon Telegrafi

Abdixhiku nga Obiliqi godet Kurtin: Popullistët nuk e besojnë Kosovën, e shohin si të përkohshme

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka qëndruar sot në Obiliq ku kanë shënuar 34 vjetorin e themelimit të degës së LDK-së në këtë komunë.

Abdixhiku ka thënë se LDK po mbledhë rreth vetes njerëzit më të mirë të vendit, si thirrje për ngritje të djathtë gjithënacionale, si domosdoshmëri për t’i dhënë vendit të ardhme.

Ai ka shtuar se Kosova është shumë e pasur për të qenë kaq e zymtë.

“Kosova është shumë e pasur për të qenë e fundit në Evropë. Për të qenë kaq e zbrazët e për të qenë kaq e zymtë. Kosova ka plot njerëz punëtorë, familje të ndershme, biznese të shëndosha, mësues me ideale, mjek me pasion, shërbyes me dinjitet. Kosova ka tradita të pasura që duhet t’i kultivojë me fanatizëm, e ka potenciale të jashtëzakonshme që duhet t’i shfrytëzojë me plot përkushtim”, ka deklaruar Abdixhiku.

I pari i LDK-së, tutje ka shtuar se popullistët këtë nuk e kanë brengë.

“Fillimisht sepse nuk e besojnë Kosovën, e shohin si të përkohshme; e më pas sepse kanë tjetër synim. Ata brengë kanë mirëmbajtjen e vetes. Sa vota sjellë një vendim. Dhe në këtë mirëmbajtje kanë mbetur të kurthuar në përballjen me të shkuarën. Aty qëndrojnë me mburrje e krenari, por aty Kosova s’duron të qëndrojë më”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/

 

Exit mobile version