Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Abdixhiku ka theksuar se politikat e tij po kontribuojnë në dobësimin e Kosovës, një objektiv që, sipas tij, është i dëshiruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Vuçiqi është rreziku më i madh i Kosovës. Ai është një njeri i ligë dhe i rrezikshëm. Vuçiq e do një gjë: një Kosovë të dobët ekonomikisht dhe të izoluar ndërkombëtarisht. Këtë Kosovë të dobët dhe të izoluar po ia dhuron Albin Kurti”, ka thënë Abdixhiku gjatë një interviste me Jeta Xharrën në Kallxo, të cilën e ka postuar më pas të dielën në platformën sociale në Facebook.
Abdixhiku konsideron se Serbia po forcon pozitat e saj ndërkombëtare, duke përmendur disa marrëveshje të rëndësishme që Beogradi ka arritur në muajt e fundit.
“Në 70 ditët e fundit, Serbia ka nënshkruar marrëveshje për 13 miliardë dollarë për avionë luftarakë me Francën, ka siguruar partneritete strategjike për energjetikën me SHBA-në dhe marrëveshje për minierat e litiumit me Gjermaninë”.
“Ne çfarë kemi? Ne kemi sanksione, mungesë njohjesh dhe mungesë të anëtarësimeve ndërkombëtare”, tha Abdixhiku, përcjell Telegrafi.