Telegrafi

Abdixhiku: Madeleine Albright do të mbetet emër i gravuar në historinë tonë përgjithmonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vdekjes së ish-sekretares së shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright.

Abdixhiku thotë se Albright do të mbetet emër i gravuar në historinë tonë përgjithmonë, transmeton Telegrafi.

“Një kampione e demokracisë, një themeltare e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën në orën tonë më të vështirë, Madeleine Albright do të mbetet emër i gravuar në historinë tonë përgjithmonë”, thotë ai.

Tutje, Abdixhiku ka shkruar se emra të tillë janë të rrallë dhe se sontë humbëm një ikonë të lirisë.

“Madeleine Albright ka vënë një standard të papërsëritshëm të mbështetjes këmbëngulëse për vendin tonë. Kosova, populli jonë, gjenerata e tashme e shumë të tjera që do vijnë pas, do të kujtojnë e nderojnë Sekretaren Albright për rolin e saj fundamental, në përpjekjen dhe përmbushjen tonë nacionale drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë. Pusho në paqe Zonja Sekretare! Të faleminderit”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Albright ishte gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.

Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes.

“Me zemër të thyer ju njoftojmë se Madeleine K. Albright, Sekretarja e 64-të e Shtetit dhe gruaja e parë që ka mbajtur atë postë, sot ka ndërruar jetë. Ajo kishte kancer”, shkruan në njoftimin e familjes në rrjetet sociale. /Telegrafi/