Telegrafi

Abdixhiku: Kushtetuta është dokumenti më i rëndësishëm që mbron integritetin dhe sovranitetin e shtetit tonë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Kushtetutës.

Abdixhiku ka thënë se 12 vjet më parë, Kosova vendosi themelet e shtetësisë së vet duke e aprovuar aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e saj.

“Nëpërmjet Kushtetutës, qytetarëve të Republikës së Kosovës u garantohet liria me të drejtat e barabarta për secilin, ndërsa, ne, si politikbërës duhet ta kemi atë si udhërrëfyes për vlerat demokratike dhe në parimet tona udhëheqëse”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se në këtë ditë veçanërisht, por, edhe çdo ditë, duhet të kujtojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti më i rëndësishëm që ruan e mbron integritetin e sovranitetin e Republikës sonë dhe integritetin e qytetarëve tanë. /Telegrafi/