Site icon Telegrafi

Abdixhiku, Kurtit për Asociacionin: Ose zbatoje sipas vendimit të Kushtetueses ose zhbëje marrëveshjen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën e Kuvendit të hënën ku po raporton kryeministri Albin Kurti lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ka pasur një varg kritikash për të.

Abdixhiku e kritikoi Kurtin për mungesë transparence sa i përket dialogut, ndërsa tha se “kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit, nuk ka treguar askush asnjëherë”.

Lexo po ashtu Kurti: Nuk mund ta refuzonim planin franko-gjerman sepse hynim në rrugën e konfrontimit me aleatët

Sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, lideri opozitar tha se kryeministri duhet ta ketë parasysh që para vetes ka një marrëveshje të ratifikuar në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës.

“Kryeministri duhet të kuptojë se para vetes e ka një marrëveshje të ratifikuar në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës. Populli i Kosovës përmes deputetëve me 84 vota për, që i bie 80 për qind e qytetarëve të Kosovës, e kanë marrë një vendim të tillë”, u shpreh Abdixhiku.

Sipas tij, kryeministri i ka dy mundësi; ta zhbëjë këtë marrëveshje ose ta zbatojë atë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Të tjerat janë lojëra fjalësh për debate e konsume populiste”, u shpreh kreu i LDK-së.

Ndërsa, deklarimin e sotëm të kryeministrit Kurti, ai e quajti të paqartë dhe kontrovers.

“Nuk mund të pranosh si bazë të mirë diçka që është merre ose leje. Ose është bazë përfundimtare ose është bazë fillestare. Dhe e dyta, shpërputhja më e madhe është në mes të refuzimit që provon të ia bëjë asociacionit dhe pranimit brenda draftit që na elaboroi e që nuk e kemi parë asnjëri nga ne, të respektimit të marrëveshjeve paraprake”.

“Respektimi i marrëveshjeve paraprake në thelb është pranimi i Asociacionit. Për LDK-në ky Asociacion duhet të bëhet sipas interpretimit kushtetues. Dhe ky interpretim kushtetues i heq të gjitha elementet e frikës që mund t’i kemi të gjithë, por nuk mund të bësh lojëra politike këtu në Kuvend, të thuash në një anë nuk do ta bëjë Asociacionin. por kam pranuar një marrëveshje merre ose leje për respektimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake”, përfundoi Abdixhiku. /Telegrafi/

Exit mobile version